Emocionet e futbollit janë të jashtëzakonshme dhe mbërthejnë shpeshherë futbollistët, jo vetëm tifozët. Pavarësisht karrierës së tyre dhe trofeve të arritura, një fitore mund të përjetohet ende si në ditët e para. Ky ishte rasti i Adil Rami, fitues i Botërorit, që qau në fundin e ndeshjes me Gil Vicenten. Boavista e mbrojtësit francez mbijetoi në kampionat falë golit të realizuar në minutën e 88. Nën emocionet e mëdha të kësaj arritje drithëruese, Rami ka qarë edhe gjatë dhënies së intervistës:
“Jam shumë i lumtur të them që kam qenë një kampion bote dhe kam fituar në Europë. Nuk jam portugez, nuk jam nga këtu, por e kuptova sa e rëndësishme është Boavista. Zemra ime u bashkua me zemrat e tifozëve”, ka thënë Rami. Ndërkohë në media është raportuar edhe nëpërmjet humorit se kjo gjendje sentimentale e mbrojtësit francez nuk është parë kur ka fituar Botërorin dhe as kur u nda nga Pamela Anderson, por ndodhi për shkakun e mbijetesës në ligë. /Sport Ekspres/