Rei Manaj ka mbyllur një prej sezoneve më të mira në karrierën e tij. Pavarësisht se nuk mundi të priste një biletë për në La Liga 2 me Barcelonën B, skuadra katalanase i shkoi afër këtij objektivi. E këtu merita ka edhe sulmuesi i Kombëtares kuqezi.
Talenti shqiptar ka qenë një nga protagonistët kryesor këtë edicion futbollistik, teksa edhe statistikat flasin në gjuhën e tij. Me 14 golat e shënuara me fanellën blaugrana, Rei Manaj kthehet në golashënuesin më të mirë të Barcelonës B, ndërsa numëron edhe 2 asist për shokët e skuadrës.
Gjithashtu, sulmuesi 24-vjeçar është ndër të preferuarit e trajnerit Pimienta. Emri i tij figuron i pesti në listën e lojtarëve me më tepër minuta përgjatë sezonit. Plot 1777 minuta ka pasur në këmbët e tij në këtë edicion, ku është paraqitur në 22 takime, ndër të cilat 20 i ka nisur si titullar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/