Nga Klaudio Ndreca
Ky kampionat i zhvilluar në Superiore nisi në mënyrë të pazakontë dhe po përfundon i tillë. Në fillim me bojkotin e klubeve shqiptare që kërkonin vëmendjen nga Qeveria, ndërsa kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi janë katër ekipe që luftojnë për titullin kampion.
Megjithatë nuk është vetëm ky detaji i shumë komentuar që e bën këtë kampionat të çuditshëm. Partizani, Teuta, Vllaznia dhe Laçi kanë gjithë të drejtën për të pretenduar se do të jenë ata fituesi i titullit kampion ndërsa diferenca mes tyre nuk shkon më shumë se dy pikë.
Por së fundmi është duke u luajtur një garë edhe më e ashpër që vjen nga deklaratat në media. Gurishta dhe Imami kanë dhënë preferencën e tyre për Partizanin kampion në rastin e dështimit të Vllaznisë, ndërsa edhe presidenti i Laçit, Laska, bëri deklaratën mes batutës se dëshironte Teutën kampione. Pa harruar këtu edhe presidentin e Kukësit, Safet Gjici, që kërkonte Partizanin si kampion të Superiores, por verilindorët janë jashtë valles dhe kanë më pak vëmendje.
Pavarësisht se në këto fjalë nuk ka “padrejtësi” të madhe pasi gjithmonë ekipi kundërshtar është dhënë si alternativ e dytë në rastin e dështimit të skuadrës që luajnë këta lojtarë, sërish paraqet të pazakonshmen.
Në rastin konkret, teksa në Shkodër presin prej vitesh me radhë dhe janë duke bërë llogaritë me laps e letër për mënyrën sesi Vllaznia do të dali kampion, nuk tingëllon aspak bukur teksa dëgjojnë nga lojtarë e tyre se do të duartrokasin me emocion të madh edhe nëse Partizani e fiton titullin pasi e meriton. Ndonjëherë jo gjithçka që mendohet, thuhet!
Të paktën ajo që kërkohet është: “Nëse nuk ia arrihet pasi ke dhënë gjithçka dhe e ke provuar në të gjitha mënyrat, dëshpërim për të treguar përjetimin”. Në të kundërt është “përparim i ekzagjeruar” që të dorëzohesh lehtë kur je në fundin e rrugës, duke thënë se do të jesh po kaq i kënaqur edhe nëse kundërshtari e pret shirtin përpara teje pas gjithë rrugëtimit me mundin e madh. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të Europës, jo më në Shqipëri!
Por vërtet interesant është fakti se nëse marrim katër ekipet kryesore, tre prej tyre kanë të njëjtat fjalë “Copy-Paste”. Partizani e ka përsëritur me drejtorin Rama dhe trajnerin Daja se objektivi i tyre nuk ka qenë që të fitojnë titullin kampion duke ditur problematikat e shumta në nisjen e sezonit që kulmonin me bllokimin e merkatos. Tërësisht e vërtetë!
Vllaznia që ka vuajtur prej vitesh në vendet e fundit të renditjes nuk e ka pasur kurrsesi si objektiv që të fitojë titullin kampion që në sezonin e parë pas ardhjes të Xhaferit, ku për të thënë të drejtën, deri tani i ka transformuar shkodranët. Lojtarët shkodranë dhe trajneri i tyre e kanë thënë hapur se objektivi është arritur me hyrjen në Europë dhe finalen e Kupës së Shqipërisë. Tërësisht e vërtetë!
Njëkohësisht edhe mes fjalëve të thëna nga Laska, përtej thumbave dhe humorit, ajo që nuk mund të anashkalohej dhe vërtetësia ishte teksa u tha se objektivi ishte mbërritja në Europë për këtë skuadër dhe kjo u arrit. Më pas kjo është mbështetur edhe nga lojtari i Laçit, Shehu, i cili shprehu të njëjtën linjë të realizimit të objektivit minimal.
Ndërkohë është vetëm Teuta që nuk kënaqet me kaq pak dhe vazhdon të mbajë përgjegjësinë e të qënurit kandidat për titull mbi shpatulla. Pra në një analizë të thjeshtë, tre nga katër ekipet nuk do ta quanin si dështim në rastin se nuk arrijnë që të shpallen kampion, por vetëm në Durrës do të konsiderohet e tillë.
Atëherë, çfarë të bëjmë me trofeun e Superiores? Sigurisht që problematikat e skuadrave dhe historia nga kanë ardhur gjatë këtij sezoni duhet parë dhe nuk duhet anashkaluar. Por nëse je vetëm dy pikë larg apo të mbash kreun kur gjendesh dy ndeshje nga fundi, e në fund do ta humbasësh, ka vend edhe për pak përgjegjësi të marra.
Kampionati krahasohet gjithmonë me maratonën, ndërsa rasti konkret në Superiore është i njëjtë sikur si një atlet jo favorit në garën e vrapimit, po mban vendin e parë kur ndodhet 100 metra larg fundit, e më pas zgjedh të largohet nga pista dhe të mos e presë i pari shiritin pasi kujton gjendjen e fillimit. A do të gjykohej sadopak për mënyrën sesi nuk arriti të fitonte garën apo nuk do të flitej asgjë, pasi ishte kandidat që nuk ishte i favorizuar që në fillim të garës?
Ngacmimet në distancë janë komentuar edhe si lojëra fjalësh për të deleguar përgjegjësinë. Por në fakt përmendja e shpeshtë e faktit se tre nga këto skuadra që kërkojnë titullin kampion e kanë realizuar objektivin e tyre, është më shumë frikë nga dështimi apo mbizotëron dëshira për t’i bërë “statujën” në rast të triumfit si për të treguar se erdhëm nga hiçi për të mbërritur të parët? Kjo do të shihet në fundin e garës me mënyrën sesi do të paraqitet trofeu dhe sesi do të komentohet nga kampi i humbësve. Por ajo që mund të thuhet me siguri është se askush nuk dëshiron që të humbas në fund.
E për ta mbyllur këtë analizë, situata paradoksale është në faktin se në Superioren më të rivalizuar me katër ekipe për titullin kampion, ka më pak rivalitet. Kjo pasi në sezonet e mëparshme kur fiton një skuadër, mërzitej tjetra. Ndërsa në rastin konkret në këtë kampion, nëse Teuta fiton titullin, largohen të gjithë të lumtur pasi durrsakët janë i vetmi ekip që e mban ende mbi shpatull përgjegjësinë dhe ndjekësit donin Europën e realizuar. Pra të lumtur para mediave se u arrit Europa si objektiv minimal i sezonit, por duke shtrënguar dhëmbët në vetvete për mënyrën sesi Vllaznia hodhi tutje diferencën e madhe të pikëve teksa kryesonte kampionatin, për mënyrën sesi Partizani po kryesonte Superioren dy javë para fundit dhe për mënyrën sesi Laçi i ndërroi objektivat në javët e fundit. Kjo është panorama që do të ofrohet në rastin që Teuta shpallet kampion, ku si gjithmonë ajo që paraqitet për shikuesit nuk është e vërteta. /Sport Ekspres/