“Deklarata e Laskës ishte thumbuese”! Martinit i mbetet peng humbja me Partizanin: Nuk e meritonim, po luanim ndeshjen më të mirë

Trajnerit të Teutës, Martinit, i ka mbetur ende peng ajo humbje e pësuar kundër Partizanit. Të kuqtë arritën që të fitonin në shifrat 0-1 falë golit të Çinarit duke parakaluar durrsakët në kryesim, pavarësisht se gjenden me pikët e barabarta.

Tashmë kampionati nuk është më në dorën e Teutës kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi. Por ky kampionat është i pabesueshëm dhe përballjet që do të luhen janë direkte mes klubeve kryesuese. Martini ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Laçin duke komentuar edhe fjalët e presidentit të kurbinasve.

“Sigurisht që humbja me Partizanin ndikon edhe në aspektin psikologjik. Nuk e meritonim atë humbje sipas meje. Deri në momentin që pësuam golin kemi bërë ndeshjen më të mirë të sezonit. Por goli na këputi këmbët ne dhe i dha zemër Partizanit. Pësuam një gol që nuk duhej ta pësonim, ky është pengu më i madh.

Ky kampionat është bërë i pabesueshëm, nuk e di në çdo moment se si mund të shkojë ndeshja. Nëse do fitojë ose do barazojë Vllaznia, ky kampionat futet në një rrjedhë që do zgjidhet në ditën e fundit. Teuta është barazim me Laçin deri më tani. Në dy ndeshjet në Durrës ne kemi bërë lojë mjaft të mirë, ndërsa në Laç kemi luajtur më mirë kundërshtari. Gjithsesi, kjo është një ndeshje që duhet luajtur dhe fituar. Ne do hyjmë në fushë me mendimin për ta fituar ndeshjen, pastaj do shohim çfarë sjell fusha lojës.

Deklarata e Laskës? Unë nuk e di se si e ka thënë presidenti i Laçit, atë bisedë. Në do bëjmë punën tonë, unë e di që duke njohur presidentin e Laçit është një deklaratë më shumë thumbuese sesa deklaratë reale. Do jetë një ndeshje e luftuar dhe shpresoj të fitojmë ne”, ka thënë Martini. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *