Do të luajnë me Kukësin, Memelli u tregon forcën lojtarëve të Skënderbeut: Fituam me Partizanin dhe barazuam me Vllazninë

Skënderbeu është surpriza e fazës së fundit të kampionatit. Teksa ishin pothuajse të rënë nga kategoria, kthesa ndaj Bylisit bëri që korçarët të shndërrohen në një skuadër te pathyeshme. Të premten, skuadra e drejtuar nga Memelli luan ndaj Kukësit, ku ka mundësinë për të mbyllur hesapet me vendin e parafundit si dhe të luftojë për vendin e 7-të që siguron qëndrimin në Superligë, pa shkuar në Play Out.  Dy kundërshtarët e Skënderbeut, Kastrioti dhe Bylis luajnë këtë jave, ku një barazim mes tyre do të ishte në favor të korçarëve.

Sipas asaj që raporton “Supersport”, trajneri Migen Memelli tha në konferencën për shtyp se skuadra e tij do të luajë për fitore, sepse ka një organikë mjaft të mirë të lojtarëve. Rezultatet e mira ndaj Partizanit dhe Vllaznisë tregon që kjo skuadër është konkuruese.

“Padiskutim që jam më i qetë pas fitores së fundit. Nëse shohim kalendarin, dy rivalët tanë përplasen me njëra tjetrën. Mendja është te ndeshja e nesërme me Kukësin. Do të bëjmë më të mirën për të marrë maksimumin, pra tre pikët. Kundërshtari? Është një skuadër që ka jashtëzakonisht cilësi brenda, sidomos te mesi i fushës e sipër. Ka lojtarë mjaft cilësorë për kampionatin tonë. Gjërat vështirësohen, por jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe mendoj se gjërat do i bëjmë shumë mirë.Nuk kam dyshime, skuadra jonë ka cilësi brenda.

Kur këto cilësi shkrihen me grupin, forca e kësaj skuadre është e jashtëzakonshme. Ne kemi kaluar skuadra shumë të forta, po flas për dy fazat e fundit që jam këtu. Kemi fituar me Kukësin dhe Partizanin në Elbasan, me Shkodrën kemi dalë barazim. Jemi finalistët e Kupës. Nisur nga ky fakt, lojtarët janë koshientë që mundësitë dhe forcat që ka skuadra janë të jashtëzakonshme.”- u shpreh Memelli. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *