Gurishta ishte i ftuar në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”. Kapiteni i Vllaznisë ka folur përpara ndeshjes që do të zhvillohet kundër Partizanit. Lojtari i shkodranëve është shprehur se titullin kampion e meriton një mes Vllaznisë dhe Partizanit pasi luajnë futbollin më të bukur në Superiore.
“Kjo situata me kampionatin në Shqipëri është e çuditshme dhe e bukur. Deri në javën e fundit do të vendoset titulli kampion. Me një fitore të tonën dhe fitore të Laçit kemi mundësi që të shpallemi kampion. Megjithatë ne e kemi arritur objektivin tonë për të shkuar në Europë dhe jemi në finale të Kupës. Partizani? Sot për sot, mendoj se Vllaznia dhe Partizani bëjnë futbollin më të bukur në Shqipëri.
Një prej këtyre ekipeve duhet të shpallet kampion pasi e meriton. Duke bërë futboll të hapur kemi humbur shumë ndeshje. Trajneri na kërkon që të luajmë futboll sulmues, por duhet të bëjmë kujdes edhe mbrapa. Ky është gabimi ynë që kemi ikur nga vendi i parë pasi kemi luajtur futboll të hapur dhe nuk jemi treguar shumë cinik”, ka thënë Gurishta. /Sport Ekspres/