Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, ka shkëlqyer në këtë sezon duke qenë një prej futbollistëve më të mirë të ekipit shkodran dhe Superiores në tërësi. Pavarësisht se dëshira e tifozëve është për të arritur maksimumin, objektivat e Vllaznisë duken se janë përmbushur. Por kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi ka ende shanse që skuadra të Brdariç të fitojë titullin kampion. Për të arritur deri këtu duhet të bëhen shumë kombinime aritmetike, ndërsa më afër duket Kupa ku diskutohet vetëm në finalen me Skënderbeun.
Gjatë intervistës së fundit që Gurishta ka dhënë për “Sport Magazine” me Altin Sulçe është prekur edhe tema e ndjeshmërisë së futbollit në Shkodër dhe batutave që japin tifozët. Më përpara sportdashësit shkodran ishin kundër Partizanit kampion, por tashmë situata ka ndryshuar pasi janë kundër Teutës. E gjitha kjo lidhet me postimin e kapitenit Renato Arapi që ironizoi për këngën e Vllaznisë dhe rënien e kësaj skuadre, që nuk mundi të fitonte ndaj Kukësit për të mbajtur ende shumë të ndezura shpresat për titull.
“Këtu në Shkodër është gjithçka mirë. Me fitoren e djeshme i kemi arritur objektivat, për të qenë në Kupat e Europës. Jemi në finale të Kupës dhe gjithçka është në rregull. Matematika na lejon që të jemi edhe kampion, pse jo. Unë besoj se titulli do vendoset të premten mes Partizanit dhe Vllaznisë. Këto janë dy ekipet që për mua e meritojnë më tepër që të jenë kampion. Por le ta shohim të premten se kush do të jetë më i fortë.
Kupa apo kampionati? Po në Kupë jemi vetëm një hap larg. Në kampionat nuk varet gjithçka nga ne, duhet edhe që Laci të fitojë me Teutën, prandaj nuk jemi po aq optimist. Më përpara këtu në Shkodër thonin që ta fitojë kush skuadër do të dojë kampionatin, por jo Partizani, më përpara. Pas atij postimi që ka bërë kapiteni i Teutës për këngën e Vllaznisë thonë që kampionatin ta marrë kush ekipi të dojë, por vetëm Teuta jo”, ka thënë Gurishta. /Sport Ekspres/