Sinisa Mihajloviç ishte trajneri i Milanit në periudhën 2015-2016, por nuk arriti ta dërgojë Milanin në Champions League. Megjithatë klubi kuqezi do t’i jetë gjithmonë falënderues serbit për zbulimin e Gigio Donnarumës në moshën 16 vjeçare. Që prej asaj dite mes Milanit dhe Mihajloviç ka mbetur një respekt i madh edhe pas largimit të trajnerit nga pankina kuqezi.
Në rrjetet sociale ditën e sotme thuhej se Mihajloviç do të bënte gjithçka për ta ndalur Juventusin, në mënyrë që Milani të shkojë në Champions League. Por nga ana tjetër, bardhezinjtë janë duke ndjekur një taktikë joshëse për trajnerin e Bolonjas, që skuadra e tij të mos japë maksimumin në ndeshjen e fundit ndaj Juves.
Mësohet se drejtuesit e Juventusit i kanë premtuar vendin e trajnerit, Mihajloviçit pasi të zyrtarizohet largimi i Andrea Pirlos. Një rezultat pozitiv dhe një ndalesë e Milanit apo Napolit, do ta dërgonte “Zonjën e Vjetër” në Champions, së bashku me të dhe Sinisa Mihajloviç. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/