Martini nuk kërkon që titulli në Superiore të diskutohet më gjatë dhe kërkon nga Teuta që t’i mbylli llogaritë që në këtë javë. Durrsakët do të përballen kundër Partizanit ndjekës, ku pavarësisht se do të favorizoheshin nga dy rezultate, do të hidhen në fushën e lojës vetëm për ta fituar ndeshjen. Në raportimin e “Supersport”, përpara ndeshjes me të kuqtë Martini ka folur hapur:
“Ndaj Partizanit është ndeshja më e rëndësishme e karrierës time si trajner, pavarësisht se jemi në një pikë që ne duhet të bëjmë gjithçka që ta mbyllim kampionatin që në këtë javë, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme. Unë them që jemi ekipi më i mirë. Nuk do të luajmë në mbrojtje, por do të kërkojmë të bëjmë lojën tonë, pavarësisht se një pikë mund të jetë e kënaqshme, por ne do të kërkojmë të fitojmë ndeshjen.
Lojtarët mezi e presin këtë ndeshje, kështu që është një takimet që duhet ta fitojmë patjetër. Ne jemi favoritë dhe jemi në krye, ndaj normalisht që na presin ndeshje të rëndësishme dhe delikate. Janë ndeshje për t’u fituar, jo për të luajtur futboll të bukur. Do të kërkojmë nga sekonda e parë e deri në fund për të fituar ndeshjen. Partizani është në presion më tepër, pasi ata duhet të fitojnë me patjetër. Ne luajmë për dy rezultate, por ne jemi më të uritur për ta marrë këtë kampionat”, ka thënë Martini. /Sport Ekspres/