Gjatë ndeshjes së zhvilluar mes Partizanit dhe Bilisht Sport në javën e parafundit të kampionatit kombëtar të futbollit të femrave ishin tre vajza të ekipit juglindor që kanë shfaqur gjendje të fikëti. Megjithatë raportimi në media ishte edhe më i tmerrshëm teksa u raportua për dyfishin e këtij numri që kishin kaluar këtë gjendje. FSHF ka bërë reagimin zyrtar teksa pasi sqaron gjithë situatën kërkon nga mediat më tepër humanizëm dhe profesionalizëm në garën e klikimeve pasi luhet edhe me emocionet e familjarëve.
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë dramën e klikimeve të krijuara ditën e sotme në lidhje me ndeshjen Partizani-Bilisht Sport, e vlefshme për javën e parafundit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të femrave.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për javën e 21-të të kampionatit, 3 vajza të ekipit juglindor kanë shfaqur gjendje të fikëti. Menjëherë vajzat janë shoqëruar në Spitalin Amerikan nga Ambulanca, e sjellë nga klubi pritës, FK Partizani, që kanë qëndruar së bashku me delegatin e ndeshjes, pranë vajzave.
Tre futbollistet pasi kanë kryer analizat e nevojshme kanë lënë ambientet e Spitalit. I bëjmë thirrje të gjithë mediave që të jenë shumë të kujdesshme në raportimin e ngjarjeve të tilla, duke parë që kanë të bëjnë me emocione të lojtareve, prindërve dhe të afërmve të tyre. Në garën e eksluziveve dhe klikimeve duhet të tregojmë së paku humanizëm dhe profesionalizëm”, shkruhet në reagim. /Sport Ekspres/