E enjtja kthen për të fundit herë për këtë sezon derbin e kryeqytetit. Një sfidë kjo që merr një tjetër vlerë për faktin se të dyja ekipet luajnë objektivat e tyre në këtë 90 minutësh. Për të komentuar më tepër rreth këtij derbi, i ftuar në “Sport Magazine“ në “Ora News“ të moderuar nga Drilon Xhepollari ka qenë një ish-bardheblu, Rezart Dabulla. Ish-futbollisti shpreson për një fitore të Tiranës, ndërsa thekson se një humbje të enjten përkthehet në një dalje nga objektivat e sezonit.
“Derbi është përcaktues për të dyja. Kampionati është duke ardhur drejt fundit, janë edhe 4 ndeshje. Të dyja kanë objektiva. Tirana ka objektiv të paktën të dali në Kupat e Europës, Partizani do të dali kampion. Kush humbet në këtë ndeshje do e humbasi objektivin e vetë. Unë si ish-lojtari i Tiranës dhe dashamirës i kësaj skuadre shpresoj të dali triumfuese. Tre derbit e kaluar nuk ka arritur të fitojë. I ka ardhur koha të fitojë dhe për të përmbushur objektivat e vetë dhe për ti dhënë kënaqësi tifozëve. Pastaj kthehemi prapë te historia që kishte 5 vite pa fituar derbin. Të paktën këtë vit duhet ta fitojmë një.
Seferi? Për mua është blerje e goditur. Mbase do na shërbente më shumë dhe do ishte më mirë si për ekipin si për atë që të shënonte disa gola më shumë. Të paktën si sulmues është i goditur në merkaton e janarit. Të shpresojmë që të shpërthejë duke shënuar gola në derbi, por këtë do e tregojë vetëm fusha e lojës.
Po të mos kishte bërë disa gabime do ishte Tirana sot në vend të parë. Mendoj që barazimi me Kukësin, barazimi me Skënderbeun dhe barazimi me Ballshin e ka penalizuar Tiranën. Flas vetëm për ndeshjet e fundit. Po ti kishte këto 6 pikë, do ishte Tirana në vend të parë. Ka mundësi të ngrihet dhe të arrijë objektivin minimal që është Kupat e Europës”, ka thënë Rezart Dabulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/