Juventusi i këtij sezoni është shumë larg shkëlqimit të 9 viteve të fundit. Si për të mos mjaftuar eliminimi në fazën e 1/16-ve të Champions League dhe humbja në luftën për titull kampion, bardhezinjtë tashmë rrezikojnë të mbeten jashtë katërshes kryesuese në tabelën e renditjes. Ronaldo nuk ka sjellë trofetë e menduar nga drejtuesit e “zonjës së vjetër“, duke marrë jo pak herë edhe kritika nga opinioni publik.
Ndërkohë gazetari italian, Leo Turrini, në një intervistë për “Calciomercato” vë theksin te fakti se Higuain ka fituar më tepër trofe në fushë me Juventusin, ndërsa ylli portugez të vetmin sukses që ka sjellë në Torino është ai i numrit të ndjekësve në rrjetet sociale.
“Sigurisht, operacioni i Ronaldos ishte një bumerang, midis një fiaskoje të trefishtë europiane dhe rraskapitjes së diktaturës në shtëpi. Ndjekësit në rrjetet sociale gjithashtu do të rriten me CR7. Por në fushë me fanellën bardhezi Higuain fitoi më shumë”, ka thënë Leo Turrini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/