“Të bëfsha flamurin, çdo këtu?”! Nënkampioni i botës: Më rritën me atdhedashuri, peng i madh që nuk ika nga Shqipëria

Ilirjan Suli është një prej peshëngritësve që i ka dhënë aq shumë Shqipërisë dhe që është shpallur nënkampioni i botës. Shumë rekorde kombëtare të vendosura, rreth 100 të tilla dhe çmime e tituj që mban mbi supe. Por kur flitet për fatin e tij, telefoni është mbyllur dhe askush nuk do t’ia dijë që në momentin kur e ka mbyllur me peshëngritjen.

Aktualisht i papunë dhe me mërzinë e madhe që e shoqëron, Suli pendohet për besnikërinë e ofruar karshi një vendi që nuk ia ktheu me të njëjtën monedhë. Turqia dhe Qipro do ta kërkonin që të garonte me flamurin e tyre, por Suli vazhdoi me flamurin shqiptar. Tashmë pa asnjë rrogë të vetme dhe me gjithë injorimin e shtetit mesazhi që jep në “Shqipëria LIVE” është shumë i fortë:

“Ja kam dalë deri diku mes shumë vështirësive. Njerëzit e thjeshtë më kanë dhënë më shumë zemër. Ka pasur edhe nga ato momente që më thonin: “Të bëfsha flamurin, ti çdo këtu?”. Unë nuk e duroja dot se prindërit më kanë mësuar me atdhedashurinë. Kam qenë në shumë vende të botës dhe zgjodha të jetoja në vendin tim, se vendi im do të ecte përpara. Nuk po them se kam bërë heroizëm.

Mendoja se Qeveria do të ndihmonte sportistët që i kanë dhënë vendit të tyre. Unë nuk di se çfarë të bëj tjetër përveç sportit. Të bëhesha trajner? Këtu janë vendet e zëna. Bëjnë kontrata nga 3-4 vjeçare dhe futen si shoku im, jo në bazë të aftësive. Pendimet? Që nuk u mora me një shkollë profesionale dhe tjetra që nuk ika nga ky vend. Jam penduar shumë. Të paktën do të vlerësohesha për atë që dija. Nëse nuk do të bëja për asnjë gjë, do e kuptoja”, ka thënë Suli. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *