Myrto Uzuni ka fituar titullin e parë në karrierën e tij duke ia dalë që në sezonin e parë me Ferencvarosh. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, sulmuesi i Kombëtares ishte lojtari më i rëndësishëm për ekipin hungarez në rrugën drejt suksesit.
Ky sezoni i parë i fali shumë kënaqësi Uzunit, ndërsa mes të tjerash duhet të veçojmë golin në “Juventus Stadium”. Në intervistën e dhënë për mediat hungareze, futbollisti shqiptar ka treguar gjithë emocionin e përjetuar pas fitimit të titullit. Gjithashtu ka treguar se shokët e ekipit kanë nisur që ta ngacmojnë sa i përket përballjes mes Shqipërisë dhe Hungarisë në kualifikueset e Botërorit.
“Titulli i parë? E kam pritur për shumë gjatë këtë moment. E kam ëndërruar që të jem kampion që kur isha fëmijë, tani erdhi koha. Jam krenar për veten time. Kam punuar shumë për këtë, është shumë e veçantë që fitova një trofe. Në shtëpi, në Shqipëri, kam luajtur dy herë një finale Kupe dhe dy herë kam humbur. Ndërsa me Ferencvarosh fitova menjëherë.
Të gjithë ata që më njohin e dinë se nuk dorëzohem kurrë. Kam qenë gjithmonë kështu. Edhe në momentin më të vështirë, e gjitha ajo që kisha në mendje ishte që të festoja titullin kampion në fundin e sezonit. Ëndrra u bë realitet.
Nuk mund t’i përshkruaj dot ndjenjat. Suksesi ishte i merituar dhe fitorja në derbi e bërë edhe më të ëmbël suksesin. Kemi festuar në dhomat e zhveshjes për kohë të gjatë. Bëmë fotografi, video të shkurtra me njëri-tjetrin dhe më pas vazhduam festimin në një nga pjesët e stadiumit. Hëngrëm, pimë, kënduam.
Pushimet? Sapo të mbarojë kampionati, udhëtoj për Shqipërinë se do të luajë me Kombëtaren kundër Uellsit dhe Cekisë në Pragë. Menjëherë do të duhet që t’i bashkohem Ferencvarosh për kualifikueset e Champions League. Nuk lodhem se kjo është jeta që zgjodha.
Çfarë ka në 5 shtator? Shqipëria pret Hungarinë. Shokët e mi të ekipit Dénes Dibusz, Gerg? Lovrencsics, Endre Botka dhe Dávid Sigér kanë nisur që të më ngacmojnë për një kohë të gjatë. Hungarezët kanë ekip të mirë, ashtu si ne. Do të luajmë futboll në të njëjtën mënyrë dhe do të jenë 90 minuta emocionuese. Le të fitojë më i miri”, ka thënë Uzuni. /Sport Ekspres/