Bota e futbollit pësoi një shok të paparë ditën e sotme pas zyrtarizmit të Superligës Europiane. 12 skuadrat që do të jenë pjesë e këtij kompeticioni që prej fillimit kanë filluar luftën e hapur me Uefën, e cila po i përgjigjet me të njëjtën monedhë. Në ditët në vazhdim pritet që edhe Bajern i Mynihut dhe PSG t’i bashkohen Superligës Europiane.
Futbollisti i PSG, Ander Herrera ka shprehur hapur dëshirën për mos tu bërë pjesë e kësaj lige. Sipas tij futbolli do të zhduket, nëse gjithçka bëhet për pak më shumë para.
“Rashë në dashuri me futbollin, me futbollin e tifozëve. Me ëndrrën që të shoh ekipin e zemrës sime të garojë kundër më të fortëve. Nëse Superliga avancon, atëherë kjo ëndërr mbyllet.
Shpresat e tifozëve të ekipeve jo të mëdha, nuk do të kenë mundësinë të shohin ekipin e tyre të fitojë në fushë duke garuar në kompeticionet më të mira. Unë e dua futbollin dhe nuk mund të qëndroj i heshtur për këtë. Unë besoj te një përmirësim i Champions League, por jo që të pasurit të vjedhin atë që njerëzit krijuan”, u shpreh Herrera. /Elio Hajdar-Sport Ekspres/