Rubin Hebaj u transferua te Shkëndija e Tetovës dhe pritet që të shpallet kampion në Maqedoninë e Veriut me ekipin shqiptar që drejtohet nga Ernest Gjoka. Tashmë kuqezinjtë janë në vendin e parë dhe të shkëputur me 10 pikë nga ndjekësi më i afërt, Shkupi. Në një intervistë të dhënë për “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës” dhe e moderuar nga Drilon Xhepollari, Hebaj është shprehur se e ëndërron Kombëtaren në çdo ditë.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu deri në mbylljen matematikore të kampionatit. Tani është përgjegjësi që ta marrim kampionatin, duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund. Këtu jam ndierë si në Shqipëri, si në shtëpinë time. Dihet që në Tetovë flitet shqip, shumica janë shqiptarë. Nuk kam pasur ato minutat që do të doja, por gjithsesi ekipi po fiton. Kombëtaren e mendoj çdo ditë. Të gjithë e duan Kombëtaren. Por duhet të bëjë mirë në klubin tim se Kombëtarja aty është, e hapur për ata që janë më në formë. E mendoj dhe e ëndërroj çdo ditë”, ka thënë Hebaj. /Sport Ekspres/