Pele është cilësuar nga shumë analistë te futbollit si lojtari më i mirë i te gjitha kohërave. Braziliani është i vetmi futbollist në histori që ka fituar 3 kupa bote. Teksa futbolli është zhvilluar, 80 vjeçari ka treguar se cili lojtar i ri në moshë i përafrohet dhe mund të bëhet pasardhës i denjë i tij.
Bëhet fjalë për francezin Kilian Mbape, i cili po tregon një formë të shkëlqyer tek Parisi dhe cilësohet nga shumë ndjekës të këtij sporti, si personi që do te fitojë Topin e Artë në të ardhmen.
“Mbappe mund të bëhet trashëgimtari im dhe nuk po bëj shaka. Mund ta shoh veten në aftësinë e tij për të luajtur me shpejtësi. Ai është një sulmues, që mendon shpejt. Kur merr topin, ai tashmë di çfarë të bëjë.
Ka në mendje se ku të shkojë dhe si ta drejtojë lojën për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Këto janë karakteristika të rëndësishme në futbollin e sotëm. Dhe pastaj Kylian është gjithashtu i shpejtë në vrapim dhe driblim, siç isha unë”,- u shpreh Pele. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/