Ernest Muçi ishte një nga lojtarët më të talentuar të Tiranës dhe tifozeria kryeqytetase kishtë një vlerësim të madh për të. Pas 4 viteve eksperiencë tek kampionët në fuqi të Shqipërisë, sulmuesi u transferua tek Legia e Varshavës dhe sot do të bëjë testet mjekësore. Lajmin e ka bërë të ditur edhe skuadra e Tiranës në rrjetet sociale, e cila zyrtarizon transferimin e tij në Poloni.
Ish drejtori sportiv i Tiranës, Arbi Laçi, i cili u largua së bashku me Egbon, ka uruar në një postim në Instagram, Ernest Muçin. Bëhet fjalë për një prej njerëzve që kur ishte pjesë e bardhebluve ka besuar më tepër në aftësitë e djaloshit. Laçi ka publikuar një foto të nënshkrimit të kontratës së 19 vjeçarit me Tiranën, në vitin 2017. “Krenar për ty”,- shkruhej në këtë postim.
Transferimi i Muçit tek skuadra kampione e Polonisë është një hap i madh për karrierën e lojtarit. Në rast se gjithçka shkon me sukses dhe arrin të tregojë formën e duhur tek Legia e Varshavës, Muçi mund të japë një sinjal pozitiv edhe për trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, Edi Reja. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/