Milani kualifikohet në “ruletën ruse” ndaj Torinos, në fazën tjetër pret derbin me Interin

Do të duheshin penalltitë që Milani të kualifikohej për në fazën çerekfinale të Kupës së Italisë ndaj Torinos. Ndryshe nga sfida e të shtunës ku kuqezinjtë e patën mjaft të lehtë për ta mposhtur Torinon, ditën e sotme skuadra e drejtuar nga Stefano Pioli gjeti një kundërshtar mjaft të vështirë dhe me mbrojtje mjaft solide.

Loja ishte mjaft e ashpër nga të dyja skuadrat, teksa 8 lojtarë u ndëshkuan me karton të verdhë. Gjithashtu pavarësisht se nuk luajti në këtë përballje, gardiani kuqezi, Ganluigi Donarumma u ndëshkua me kartonin e kuq për protestat ndaj arbitrit pasi pretendoi penallti për ndërhyrjen e portierit të Torinos ndaj Leaos.

Pas 120 minutave mjaft të luftuara, Milani arriti të mposhtë Torinon me anë të penalltive. Të gjithë lojtarët e kryesues së Serisë A arritën të shënonin 11-metërshin përkatës, ndërsa do të ishte mesfushori i Torinos, Rincon që do t’u dhuronte kualifikimin kuqezinjëve.

Topi i goditur prej tij është kuptuar nga Tatarushanu, ndërsa Calhanoglu nuk është hipnotizuar nga portieri i Torinos për të shënuar edhe penalltinë e fundit. Kundërshtari i Milanit do të jetë fituesi i sfidës Inter-Fiorentina dhe në rast të fitores së zikaltërve do të shijojmë dhe njëherë derbin Inter-Milan. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *