“Dua t’iu shoh në Superiore”/ Fjalët e trajnerit italian që u largua nga Dinamo, do ta shohim në elitë

Fabrizio Camarata nuk do të jetë më pjesë e Dinamos si trajner. Një lëvizje tërësisht surprizuese kjo duke parë dinamovitët që u shpallën kampion dimri dhe morën një sëri rezultatesh pozitive në këtë sezon, duke hedhur kandidaturën kryesore për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar.

Megjithatë Camarata nuk do të largohet kaq shpejt nga Shqipëria. Valixhet do të bëhen gati, por vetëm për të ndryshuar qytetin. Sipas raportimeve të fundit thuhet se italiani do të marrë drejtimin e Apolonisë në Kategorinë Superiore. Gjithashtu kishte edhe një reagim në rrjetet sociale duke falënderuar të gjithë pjesëtarët e Dinamos për besimin që i dhanë gjatë kësaj kohe.

“Ndonjëherë në futboll ndodhin disa gjëra të papritura, për të marrë vendime të caktuara. Mbyll mandatin tim si trajner i Dinamos. Dua të falenderoj Dinamon dhe në veçanti presidentin Pontrelli, që më dha mundësinë të jem trajner i një klubi kaq të rëndësishëm.

Gjithashtu falenderoj administratorin e klubit, Ermal Barushin, për të gjithë punën e bërë; të gjithë futbollistët që kam stërvitur, sepse kanë qenë profesionistë të vërtetë dhe u uroj më të mirat në karrierë.

I falenderoj dhe tifozët Dinamos që na kanë mbështetur gjithmonë dhe meritojnë më tepër. Këto 13 muaj kanë qenë të rëndësishme për mua, sepse fillimisht garantuam qëndrimin në Kategorinë e Parë, ndërsa sot jemi “kampionë të dimrit” dhe në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Dinamon do ta kujtoj gjithmonë dhe do të jem tifoz i saj duke shpresuar t’ju shoh sa më shpejt në Kategorinë Superiore. Faleminderit për gjithçka”, shkruan Camarata. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *