Nga Klaudio Ndreca
Një moment fantastik ishte duke kaluar Armando Broja te Viteshe, me skuadrën holandeze që po konkurronte me Ajaksin për vendin e parë. Shumë fitore radhazi të arritura ku si protagonist ka qenë edhe sulmuesi i Shqipërisë. Por në përballje kundër Gronigenit, thjesht nuk ishte mbrëmja e Brojës. Pavarësisht mungesës te Kombëtarja për shkakun e dëmtimit, sulmuesi u riaftësua dhe luajti nga minuta e parë kundër Gronigenit.
Teksa rezultati ishte në shifrat 1-1, në minutën e 65 Armando Broja do të humbiste një mundësi të artë për t’i sjellë fitoren skuadrës. Pas pasimit të bukur që i erdhi nga pas shpine të mbrojtësave kundërshtarë, Broja ka kaluar portierin e Gronigenit dhe ka bërë më të vështirën, duke e dërguar topin jashtë. Ulërima dhe dëshpërimi i madh vijnë për Brojën pas kësaj mundësie të humbur, që e shoqëron edhe në stol.
Trajneri zgjodhi që ta largonte në minutën e 85 të takimit dhe kur gjithçka përfundoi, Broja po qëndronte në stol më tepër se të tjerët nga dëshpërimi dhe duke vendosur duart në kokë, pasi nuk po i largohej ende imazhi i asaj mundësie të humbur, ndërsa shifrat qëndruan në 1-1. /Sport Ekspres/