“Nuk e dua ekipin kampion si në Shqipëri”, Sinan Idrizi hedh akuza: Pashë klube duke paguar arbitra dhe kundërshtarët

Sinan Idrizi është rreshtuar prej kohësh kundër vendimit të Ligës Profesioniste për të bojkotuar futbollin për shkakun e kërkesave të paplotësuara nga ana e Qeverisë, që do ta ndihmonin më tepër sportin në tërësi. Në një intervistë për “Sport Time” në “Supersport”, administratori i Flamurtarit ka hedhur edhe disa akuza për futbollin në Shqipëri duke u shprehur se në momentin që erdhi për të investuar ka parë klube që derdhnin lekët në arbitra dhe lojtarët kundërshtarë, në vendin që të paguanin taksa.

“Kërkesat e Ligës? Nëse ne flasim për ligjin e sponsorizimit, ai është, por është i interpretuar keq, pasi ai ekziston prej disa vitesh në Shqipëri. Këta nuk e kanë të qartë se çfarë kërkojnë. Pyesni Kokëdhimën se çfarë kërkon në këtë që po bën. Nëse unë do isha në Superiore do të kisha dalë në fushë.

Kur kam ardhur në Shqipëri për të investuar për sportin, pashë këtu një situatë shumë të vështirë. Kam parë që shumë klube nuk paguanin taksa në shtet, por paguanin arbitrat dhe lojtarët kundërshtarë. Rama po na krijon mundësinë që të bëjmë llogaritë tona dhe ne duhet të bëjmë llogaritë për të ardhmen në sport. Ministria e Financave ka bërë një propozim për ligjin e sponsorizimit, hajde ta flasim. Marrëdhënia që kam me Ramën, nuk ndikohet nga sporti, por nëse ka një njeri që e do ligjin e sportit ai është Edi Rama.

Unë dua të filloj një projekt, por Flamurtari është i vetmi klub shqiptar që nuk ka fusha. Edhe një që është aktualisht, nuk investoj dot aty. Nëse doni të krijojmë një ekip të mirë atëherë hajde ta bëjmë sipas ligjeve, nëse krijohet një ekip për kampion, ashtu siç i nxjerrin në Shqipëri, atëherë nuk e dua”, tha Idrizi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *