Prania e madhe e futbollistëve shqiptarë në radhët e Lokomotivës së Zagrebit ka tërhequr vëmendjen e mediave kroate. “Sportske Jutarnji“ i ka kushtuar një artikull “shqiptarizimit“ të skuadrës kryeqytetase. “Punë e paqme! Edhe Kombëtarja e Zvicrës nuk ka aq shumë shqiptarë sa Lokomotiva e Zagrabit“, është titulli me të cilin media kroate hap shkrimin e saj.
Janë plot 7 futbollistë shqiptarë në radhët e nënkampionëve të Kroacisë. Mersinaj, Cokaj, Tuci, Kallaku, Ibishi, Tahiraj dhe Maliqi janë lojtarët që Goran Tomiç ka nën urdhërat e tij këtë sezon, ndërsa grupit i janë larguar dy prej kryesorëve në suksesin e vjetshëm, Myrto Uzuni dhe Lirim Kastrati.
Kaq mjafton që media në fjalë të thotë se gjuha e dytë zyrtare që flitet në Kajzerica, zona ku stërvitet Lokomotiva e Zagrebit, është ajo shqipe. Më tej meritat ia veshin të gjitha një emri, Besnik Prengës, për të cilin nuk mungojnë vlerësimet. “Çdo gjë që preku, e ktheu në cilësi“, kjo është forma sesi “Sportske Jutarnji“ zgjedh të përgëzojë punën e Prengës për të sjellë talentet shqiptare në Kroaci, të cilët më pas ia shpërblyen me suksesin e arritur në fushën e lojës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/