Nga Klaudio Ndreca
Shpeshherë duhet të gjendesh në kohën dhe vendin e duhur për të kapur shansin e jetës. Elseid Hysaj e realizoi ëndrrën e tij pa iu dashur shumë kohë udhëtimesh që të mbërrinte në pikën më të largët. Pas një sezoni të nivelit të lartë me Empolin në Seria A, trajneri Sarri do të shkonte te Napoli.
Një nga futbollistët që zgjodhi për të marrë me vete ishte edhe Hysaj. Padyshim që fati i buzëqeshi në ato momente pasi flitej për lënien e ekipit që si sukses kishte mbijetesën, ndërsa nga krahu tjetër do të luftohej për titullin kampion. Vlerësimet nuk munguan për Hysajn edhe te Napoli, por duke ardhur në zbritje. Periudha me Ançelotin ishte më e errëta në karrierë, ndërsa mbrojtësi shkodran kthehej edhe në vëmendjen kryesore të tifozëve që nuk e dëshironin më në ekip.
Madje do të ishin edhe kundër trajnerit Gatuzo që vazhdon me besimin karshi këtij lojtari, që si mangësinë më të madhe ka pjesën sulmuese, duke çaluar tërësisht me krosimet dhe marrjen e krahut për të ndihmuar aksionet e Napolit. Ndeshjet e fundit ka ardhur një ngritje në nivelin e lojës së Hysajt, megjithëse te Kombëtarja nuk ka treguar fytyrën më të mirë deri në këto momente, për të mos komentuar për rolin e liderit.
Mbrojtësi shkodran ishte titullar edhe ndaj Atalantës në fitoren e thellë të Napolit. Një media që i kushtohet tërëisht kësaj skuadre, “TuttoNapoli”, e ka vlerësuar me notën 7, nga më të lartat të takimit. “Në aspektin e ri teknik me 4-2-3-1 nuk është një mbrojtës i majtë që duhet të shtyjë përpara. Hysaj është jetik për Napolin dhe mban pozicionin e linjës. Kurrë nuk e lejon veten që të surprizohet nga Atalanta me Ilicic në atë zonë dhe rotacionet që bëhen shpeshherë. Përfundon një ndeshje perfektë”. /Sport Ekspres/