Enis Gavazaj ka gjetur skuadrën e re ku do të vijojë karrierën e tij. Sulmuesi u largua nga radhët e Kukësit dhe sezoni i ri do e gjejë të veshur me ngjyrat bardheblu. Prishtina ka siguruar firmën e lojtarit, që rikthehet kështu në vendin nga ku e nisi rrugëtimin e tijn në futbollin profesionist.
Një goditje kjo për kryeqytetasit e Kosovës, të cilët këtë verë kanë bërë një merkato të frikshme, teksa kanë afruar disa prej lojtarëve më në zë shqiptar si Mici, Lilaj apo edhe kapitenin e Tiranës, Gentian Muçën. Gavazaj ka thënë edhe fjalët e tij të para si lojtar i klubit të Prishtinës, ku nuk nguron të shprehë kënaqësinë e të rikthyerit sërish në këtë skuadër. Sulmuesi shqiptar thekson se ka ardhur koha të ndihmojë klubin, ashtu si e ndihmoi klubi atë vite më parë dhe premton gola dhe asiste për sezonin e ri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Njoftimi i klubit:
Mirë se vjen Enis!
Gavazaj sërish bardhekaltër
Prishtinë, 5 tetor 2020 – Mesfushori ofensiv i krahut, Enis Gavazaj, 25 vjeç, rikthehet në Prishtinë pas shtatë vitesh. I transferuar si talent i madh nga Liria në janar të vitit 2012 si 17 vjeçar, me FC Prishtinën për një vit e gjysmë pati zhvilluar 22 ndeshje zyrtare. Pas turneut U19 në Dortmund, Gavazaj ishte transferuar te skuadra belge, Gent. Pjesë tjetër të karrierës së Gavazajt e dini të gjithë duke përfunduar deri te anëtar i Kombëtares së Shqipërisë.
Ish-futbollisti i Rosalare (Belgjikë), Skënderbeut, Yenisey (Rusi), Dinamo Minsk (Bjellorusi) dhe së fundi në Kukës, do t’i bashkohet Prishtinës menjëherë në seancat stërvitore.
T’i ndihmoj klubit siç më kishte ndihmuar klubi mua shumë vite më herët
“Kthimi në Prishtinë më shtyu ambiciet e klubit. Ka ardhur koha t’i ndihmoj klubit siç më kishte ndihmuar klubi mua shumë vite më herët. Kam ardhur për të mirën e dyanshme”.
“Prishtina prej kur isha unë ka ndryshuar shumë, vetëm pak bashklojtarë që kam pasur më herët ende janë pjesë e klubit. Ka ndryshuar stadiumi e që tani është ambient shumë më i mirë se që ka qenë”.
“E njoh ekipin, e përcolla edhe dje me Llapin, më pëlqeu, thjesht duhet punë dhe me këtë ekip besoj që mund të arrijmë shumë lart”.
“Premtoj më të mirën nga ana ime, gola dhe asistime”.