Gledi Mici është një prej prodhimeve më të mira të Superiores që po jep kontributin e tij te Prishtina. Së bashku me emra të tjerë të njohur për kampionatin shqiptar, ku së fundmi është bashkangjitur edhe Gentian Muça. Në një intervistë për “Fax Sport”, Mici ka treguar edhe prapaskenën me Partizanin.
Marrëveshja ishte arritur mes tyre, megjithëse nuk mund të finalizohej për shkakun se u bllokua merkato e Partizanit duke u mbajtur në fuqi dënimi. Për të vazhduar më tej, Mici ka treguar edhe pak mbi mënyrën sesi Gentian Muça e ka marrë aventurën e re te Prishtina.
“Po ndihem shumë mirë këtu te Prishtina. Shokët e ekipit më kanë ndihmuar shumë për t’u ambientuar dhe jemi optimist për këtë kampionat të ri. Tani erdhi edhe Gent Muça te Prishtina. Është një futbollist dhe njeri i shkëlqyer, e kam edhe mik mbi të gjitha. E çfarë kemi biseduar? Unë e shoh shumë të entuziazmuar për këtë aventurë të re, është shumë i motivuar. Nuk kemi biseduar asgjë për të shkuarën, por është i karikuar për të tashmen.
Në këtë merkato ishte një periudhë shuëm stresuese për mua. Kishim kontakte të shumta, por thuajse pak konkrete. Prishtina u tregua më e aftë për të më bindur dhe më mori në skuadër. Sa i përket Partizanit ne e kishim arritur një marrëveshje paraprake, që ndryshoi pas dënimit me bllokimin e merkatos. Por mua nuk më vjen keq për asgjë”, ka thënë Mici. /Sport Ekspres/