Tirana është eliminuar nga “Europa League” duke u mundur në “Play-Off” kundër Young Boys në shifrat 3-0. Megjithatë kjo do të jetë një eksperiencë që do t’i vlejë shumë bardhebluve për t’u rritur më tepër, ndërsa deri në këtë pikë mbërritën falë punës së madhe të bërë nga trajneri Egbo.
Për t’u kthyer pas në kohë, në momentin që ky teknik do të merrte drejtimin e Tiranës, askush nuk mund ta besonte se kryeqytetasit do të mbërrinin kaq larg. Ndërkohë fitimi i titullit kampion të Superiores bëri që Egbo të bënte xhiron e të gjitha mediave botërore, pasi ishte trajneri i parë afrikan që fiton titullin në Europë.
Nigeria do t’i dërgonte vlerësime të mëdha dhe rreshta dedikuese për suksesin e arritur me Tiranën. Ndërkohë është ”Owngoalnigeria” që zbulon një prapaskenë me trajnerin Egbo. Nigeria e ka kërkuar teknikun së fundmi që t’i bashkohej stafit teknik të trajnerit aktual të Nigerisë, Gernot Rohr.
Pra plani do të ishte që Egbo të vazhdonte të merrte eksperiencën si asistenti i Rohr dhe mund të kishte shansin e tij për ta drejtuar vetë këtë Kombëtares pas shkarkimit të gjermanit. Nga ana tjetër është Tirana që i ka dhënë një përgjigje të prerë Nigerisë se nuk kanë ndërmend ta lëshojnë Egbon. “Hiqini duart nga trajneri ynë”, kështu hapet artikulli dhe mesazhi kuptohet qartë. /Sport Ekspres/