“Ti mendon se unë e mbylla, po bëj vetëm nxehjen”! Një tjetër model nga Superiorja, Uzuni është shpresa e të rinjëve

Nga Klaudio Ndreca

“Pra nëse ti mendon se unë e mbylla, se karriera ime do të përfundojë herët, ti nuk më njeh mua, gjithë jetën kam luftuar. Nuk besuan te mua, duhet të besoja në veten time. Disa njerëz donin të më thyenin, por më kanë bërë vetëm më të fortë. Disa të tjerë donin të më “shpërthenin”, por më bënë vetëm më të zgjuar. Dhe tani që ti mendon se unë e mbylla këtu? Kam vetëm një gjë për të thënë, unë nuk jam si ti, sepse unë nuk jam ti. Vetëm sa jam duke bërë nxehjen”.

E nisim me këto rreshta motivuese të thëna nga ana e Zlatan Ibrahimoviç, për të përfunduar te Myrto Uzuni. Gjithmonë e kemi përsëritur se në Shqipërinë tonë të bukur dhe që po zhvillohet në ritme të frikshme, ka vetëm një problem: “Shembujt”. Pakkush mund të frymëzojë sesi mund të niset nga pika zero për të mbërritur në nivelet më të larta të suksesit.

Por në futbollin e Shqipërisë janë duke u shtuar modelet për t’u ndjekur dhe Myrto Uzuni është rasti më i fundit për të treguar se një ditë, idhulli yt do të jetë kundërshtari që do të kesh për të matur forcat. Pra, në pikën më të lartë!

Peter Olainka ishte një tjetër prodhim i Superiores që mbërriti në golin e shënuar në transfertën kundër Interit dhe kulmoi me paraqitjen brilante ndaj Barcelonës. Këtë herë kënaqësia fitohet dyfish pasi flitet për një lojtar të Kombëtares së Shqipërisë, që përpara dy vitesh ishte pjesë e Superiores dhe tanimë do të luajë në grupet e “Champions League”.

Qartësisht këtu vjen edhe një mesazh për futbollistët e rinj që nuk duhet të kenë asnjë ankesë për mundësitë që kanë dhe justifikime të gatshme për të treguar se përse nuk po ia dalin me karrierën e tyre. Ekziston një vijë që ndan dëshirën për t’u bërë lojtar i njohur dhe sakrificën e jashtëzakonshme duke bërë gjithçka për të arritur në këtë pikë. Në Shqipëri janë të pakët futbollistët që i përkasin rastit të dytë. Por shembuj të tillë shërbejnë si shpresë për të rinjtë që kuptojnë se asgjë nuk është e pamundur dhe gjithçka varet nga zgjedhjen që ndërmarrin në momente të caktuara. Është koha të zgjohesh për ëndrrën tënde, mos fli me të! /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *