“Rrimë e të dëgjojmë Fidelin me Anilën”! Pogoni analizon situatën: Futbolli i la kërkesat në tavolinë

Bojkoti po vazhdon ende sa i përket futbollit në Shqipëri, me ekipet e Superiores që janë të bashkuara dhe kërkon plotësimin e katër pikave nga ana e Qeverisë. Mbi këtë çështje ka diskutuar edhe trajneri i volejbollit dhe pedagogu në “Universitetin Marin Barleti”, Artan Pogoni.

I ftuar në emisionin “Pressing”, ka vendosur theksin se futbolli i ka dorëzuar letrat e tij në tavolinë për Qeverinë dhe është i vetmi sport që po reagon ndaj një harrese që i është bërë nga ana e shtetit.

“Futbolli ka bërë kërkesat e tij, i ka vënë në tavolinë. Kanë rënë dakord të heshtin për një javë. Qeveria po del dhe po flet fjalët e famshme për sportin, prej 7 vitesh e gjysmë. Ne dalim dhe analizojmë, por për çfarë? Kjo punë shkon në nivele qesharake.

E keni dëgjuar ndonjëherë Këshillin e Sportit? E keni dëgjuar ndonjëherë të mblidhen? Janë organizata që nuk funksionojnë fare. Asnjë reagim, asnjë prononcim. KOKSH, asnjë prononcim. Ndërkohë, FSHF, e cila dhe bojkoton, është e vetmja që reagon.

Pra, jemi në një situatë kaotike totale, ku ne duhet të rrimë dhe të dëgjojmë çfarë thotë Fidel Ylli dhe Ministrja e Financave, Anila Denaj”, u shpreh Pogoni. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *