Turqia është kthyer në destinacionin kryesor të lojtarëve të Kategorisë Superiore të Shqipërisë. Selmani, Domgjoni, Rroca, Abazaj janë vetëm një pjesë e atyre që zgjedhin këtë kampionat për të vazhduar karrierën e tyre, duke shpresuar të gjejnë atë trampolinë të famshme për të kaluar më pas në ligat më të forta të Europës.
Por në këtë valë të shqiptarëve drejt Turqisë së fundi del edhe emri i Rei Manajt. Fati nuk i ka munguar në rrugëtimin e tij si futbollist, duke pasur mundësinë të veshi fanellën e dy klubeve të mëdhaja europiane si Interi dhe Barcelona, por në fund nuk ia ka dalë dot të sigurojë vendin e tij në skuadër.
Edhe pse erdhi me ëndrrën e madhe për të krijuar hapësira në ekipin e parë të Barcelonës, tashmë e sheh veten edhe jashtë planeve të skuadrës B, që e ka nxjerrë në shitje. Nga Segunda Division e deri te Serie A shumë klube janë përfolur për të siguruar shërbimet e tij, por tashmë gzetari i njohur Italian, Xhanluka Di Marzio, nxjerrë në skenë një tjetër emër. Kasimpasa nga Superliga turke mësohet të ketë nisur negociatat me Barcelonën dhe mbetet për t’u parë nëse do të finalizohet me një firmë në kontratë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/