Pushtet absolut! Tani merr edhe futbollin, klubi i Erdoganit fiton kampionatin në Turqi për herë të parë

Nga Klaudio Ndreca

Pushteti absolut i Erdoganit nuk njeh kufij në Turqi, teksa këtë herë është kapur edhe futbolli. Për herë të parë në histori është Bashakshehiri që shpallet kampion në elitë. Një skuadër kjo që është themeluar që në vitin 1990, por u ngjit për herë të parë në Superligë në vitin 2013.

Në një sezon ku kishin rënë emrat gjigandë të Turqisë, Bashakshehiri e mposhti konkurrecën me Trabzonsporin dhe doli kampion. E njohur ndryshe edhe si skuadra e Erdoganit, ka sjellë polemika të mëdha edhe përtej Turqisë, për një kapje të mundshme që po i bëhet futbollit.

Presidenti i Bashakshehirit është zyrtari i lartë i AKP-së, Partia për Drejtësi e Zhvillim, Goksel Gumusdag. Këtë parti e ka themeluar Erdogan, që e ka ndjekur shumë herë nga stadiumi ekipin në fjalë. Madje edhe në ditën e djeshme ka qenë djali i të plotfuqishmit turk që ka festuar në stadium.

Në shumë raste skuadra në fjalë është përdorur si një armë propagande për zgjedhje. Investimet te Bashakshehiri kanë qenë të mëdha dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi edhe te ekipet e tjera. Në këtë skuadër bëjnë pjesë aktualisht yjet e futbollit europian dhe emra të njohur si Robinho, Demba Ba, Martin Skrtel dhe Gael Clichy. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *