E rrallë është ajo që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në La Liga. Sevilla fitoi me rezultatin minimal 1-0 në ndeshjen kundër Eibarit dhe për këtë padyshim të gjitha meritat shkojnë për lojtarin Ocampos. Ishte pikërisht sulmuesi argjentinas ai që do të shënonte golin e vetëm të takimit në minutën e 56-të.
Por nëse të shënojë është detyra e tij në fushë, e njëjta gjë nuk vlen për të mohuar golin e kundërshtarëve. Në minutën e 95-të portieri i Sevilles pëson një dëmtim dhe detyrohet të largohet nga loja. Dorezat e tij i merr pikërisht Lucas Ocampos, që do të kthehet sërish në hero për ekipin e tij. Në momentet e fundit të takimit Eibar ka mundësinë e një goditje dënimi.
Është portieri Dmitrovic ai që shfrytëzon një top të gjendur në zonë dhe nga shumë pranë portës tenton golin. Por festën do e mohonte sulmuesi Ocampos, i cili këtë herë në rolin e gardianit të katërkëndëshit ka mbajtur rrjetën të paprekur për t’i dhuruar 3 pikët Sevilles, e cila ruan vendin e 4-rt në renditje./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Ocampos, de portero, acaba de salvar al Sevilla. pic.twitter.com/CkTr9Ickhj
— Antonio López. (@AntonioLopezCf) July 6, 2020