Ardian Mema ka komentuar çështjen më të përfolur në kampionatin shqiptar sa i përket ndeshjes mes Bylisit dhe Tiranës. Kjo përballje u mbyll në shifrat 2-1 atje ku pati shumë komente sa i përket koeficentëve të çuditshme që variuan në përfundimin e pjesës së parë, teksa bardheblutë po kryesonin. Ish-trajneri i kryeqytetasëve është shprehur se te Tirana nuk e njohin bixhozin dhe nuk kanë toleruar në asnjë rast, madje as në vitet e atëhershme kur presioni shkonte deri në pikën e mbërritjes me armë në dhomat e zhveshjes. FSHF ka nisur një hetim në lidhje me këtë rast, por Mema për “Sport News Plus” kërkon më tepër kujdes.
“Unë në fakt nuk e pashë ndeshjen, por sekuencat pasi u bë e bujshme mediatikisht. Por është ende herët që të flasim për trukime. Ai klub nuk është marrë kurrë me bixhoz, të them të drejtën, kurrë nuk e kemi toleruar ndeshjen. Ne kemi kaluar edhe periudha të vështira, kur na kanë ardhur me armë në dhomat e zhveshjes, se ashtu ka qenë koha atëherë, por prapë nuk kemi toleruar. Kjo merr një hetim të mirfilltë dhe le të mbajnë përgjegjësi. Federata kërkon nëse janë vendosur baste apo jo dhe aty do dalin përgjegjësit.
Pjesa e dytë e dobët? Mund të jenë ata të pakënaqurit që do të largohen nga Tirana. Në asnjë mënyrë nuk bëhet pis kampionati i Tiranës, nuk e bën dot një ndeshje. Tirana nuk ka as prioritet këtë Kupë. Unë nëse do të isha trajner, atëherë do të merrja gjysmën e ekipit nga të rinjtë. Të dënosh një ekip si Tirana do edhe pak kujdes, pasi nuk flasim për një ekip të rëndomtë, por me histori të madhe”, ka thënë Mema. /Sport Ekspres/