“Duan të na shpërqendrojnë”! Partizani reagon për zërat e fundit: Ilir Dajën e respektojmë, por i besojmë këtij stafi

Partizani ka reaguar rreth zërave të fundit që e lidhin Ilir Dajën me një kalim tek të kuqtë. Ky ishte artikulli i publikuar nga gazeta sportive në vend, teksa është mohuar nga kryeqytetasit. Nëpërmjet një reagim të fundit Partizani është shprehur se këto lajme vetëm sa duan të shpërqendrojnë ekipin pasi nuk ka dyshime sa i përket vazhdimësisë. Sormani do të drejtojë me stafin e tij, ndërsa përpos respektit për Ilir Dajën, gjithçka mbyllet këtu.

Reagimi i plotë

Nisur nga lajmi që prej ditësh po qarkullon në media dhe portale të ndryshme në vend, FK Partizani ka detyrimin moral përkundrejt opinonit sportiv, por sidomos ndaj punonjësve dhe tifozerisë së skuadrës për të përgënjeshtruar lajmin se klubi është në kontakte me trainerë të tjerë për të marrë drejtimin e ekipit. FK Partizani dëshiron të informojë, sqarojë mediat dhe sportdashësit, se stafi teknik gëzon besimin dhe mbështetjen e drejtuesve të klubit për të punuar të qetë në arritjen e objektivit të mbetur në këtë sezon jo normal si ky i këtij viti, i kondicioniuar thellësisht nga situata e krijuar prej pandemisë. Saktësojmë se këto lajme nuk bëjnë gjë tjetër përveçse tentojnë të shpërqëndrojnë ekipin nga detyra për ta mbyllur këtë fund kampionati me përpjekjet maksimale. E vlerësojmë dhe respektojmë trainerin Ilir Daja për atë çka arritur në drejtimin e mjaft ekipeve në kampionatin tonë, ashtu si respektojmë dhe klubin e Skënderbeut për kampionatin dinjitoz që po zhvillon, por ky reagim i yni vjen për të respektuar garën dhe mos prishur kurrsesi ekuilibrat në këtë fund sezoni. Ndaj kërkojmë nga të gjitha mediat që të jenë korrekte në pasqyrimin e informacioneve ashtu sikurse Partizani mbetet gjithmonë bashkëpunues me të gjithë dhe kërkon të trajtohet në të njëjtën mënyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *