Ditën e sotme, në orën 22:00 do të luhet sfida Majorka-Barcelona e vlefshme për javën e 28-të të La Ligës. Pavarësisht disnivelit të të dyja skuadrave, Barça duhet të tregohet mjaft e kujdesshme për ta fituar këtë takim me qëllim që të ruajë vendin e parë. Aktualisht katalanasit ndodhen në kuotën e 58 pikëve, 2 më shumë se rivalët e përjetshëm të Realit të Madridit.
Në përballjen e fundit mes dy skuadrave rezultati përfundoi 5 me 2 për Barcelonën dhe 3 gola i shënoi Mesi. Kjo e ka bërë trajnerin e Majorkës të jetë i frikësuar për golat që mund të shënojë argjentinasi dhe në një intervistë për median lokale, deklaroi se Mesi vazhdon të jetë i rrezikshëm.
“Herën e fundit që u grindëm na shënoi 3 gola. Dukej se nxori inatin në fushë përballë nesh. Këtë herë nuk po e mërzis, shpresoj të mos bëjë gola. Duhet të kemi kujdes të mos i lëmë hapësira është lojtari më i vështirë”, tha kreu i pankinës së Majorkës./Sport Ekspres/