La Liga spanjolle është rikthyer sërish në fushën e lojës, por duket se periudha e gjatë e pushimit ka bërë që disa lojtarë të “harrojnë” edhe rregullat e futbollit. Një gafë qesharake ka pasur si protagonist ditën e sotme portierin e Alaves. Pacheco lë zonën e tij për të kontrolluar qetësisht një top … me duar. I sigurt dhe i qetë në daljen e tij, por harron një detaj të rëndësishëm, se fakti që është portier nuk i jep të drejtë të kapë topin me dorë edhe jashtë zone.
Episodi ka ndodhur në minutën e 19 të takimit që Alaves po zhvillon në këto momente në transfertë kundër Espanyol-it. Gjyqtari i takimit nuk e ka menduar dy herë dhe ka nxjerrë menjëherë kartonin e kuq. Kështu Pacheco është detyruar të lërë fushën e lojës dhe Alaves ka vazhduar ndeshjen me një lojtar më pak, ndërsa trajneri ka hedhur në fushë portierin e dytë të skuadrës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/