Nga Klaudio Ndreca
Dinamo është duke luajtur përballë Burrelit në ndeshjen e vlefshme për Kategorinë e Parë. Pas rifillimit të Superiores, ishte radha që në fushën e lojës të zbresin në Shqipëri edhe ekipet që ndodhen në një divizion më poshtë.
Por ajo që bie në sy në këtë përballje të sotme është se kemi edhe jehonë nga tifozët. Nuk flitet për bokse të amplifikuara, por disa pjesëtarë të grupit “Blue Boys” që mund të ndiqen në videon e siguruar nga “Sport Ekspres”. Asnjëherë nuk e kanë braktisur Dinamon dhe këtë gjë nuk mund ta bënin as në kohën e pandemisë.
Duke parë faktin që në stadium nuk lejohen për t’u futur dhe për të ndjekur ekipin e zemrës, kanë shkuar në një godinë të afërt për të kënduar për skuadrën e tyre. Një mënyrë e re e mbështetjes që i jep më tepër zemër edhe lojtarëve në fushën e lojës, ndërsa nuk gjenden të shumtë në numër për të rrezikuar në këtë pandemi, por mjaftueshëm sa për ta bërë Dinamon që të ndihet se nuk është e vetme. /Sport Ekspres/