Klima në klubin e Vllazinisë nuk ka qenë aspak pozitive ditën e sotme, ku lojtarët kanë bojkotuar edhe seancën stërvitore. Shkak për këtë janë bërë rrogat e pa paguara prej 4 muajsh për futbollistët shkodranë. Kriza e shkaktuar prej pandemisë ka ndikuar për krijimin e një situate të tillë, që nuk i duhej aspak klubit të Vllaznisë, aq më tepër në këtë periudhë kur jemi pak më shumë se 10 ditë larg rifillimit të kampionatit. Ndërkohë administratori i skuadrës shkodrane, Suad Lici, do të shprehej se nuk mund të paguhej një punë e pakryer dhe se nëse do të ishte vetë futbollist do të luante edhe pa lekë.
Në një prononcim për “Sport Ekspres“ ka dhënë komentin e tij në lidhje me këtë çështje edhe trajneri Mirsad Jonuz, i cili është duke ndjekur rregullat e karantinimit në Shqipëri dhe përballet me një situatë tepër të keqe. Kreu i pankinës së Vllaznisë është shprehur se duhet gjetur një zgjidhje për të paguar lojtarët, pasi këta të fundit e kanë kryer në një farë mënyre punën e tyre duke u stërvitur sipas programit të përcaktuar nga shtëpia. Jonuz bën me dije se do të ulet në diskutim me Licin për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate, në të kundërt është i gatshëm të ndërpresë kontratën e tij.
“Momentalisht jam në karantinë dhe po ndjek rregullat e vendosura nga shteti. Unë kam ardhur këtu për të bërë punën time, për të stërvitur lojtarët, por e gjej veten në një situatë të tillë. Nuk e di ç’të them, është një situatë shumë e keqe për mua. Kam ardhur për të stërvitur këtu dhe jo për turizëm. Lojtarët duhet të paguhen, sepse e kanë bërë punën e tyre. Ne i kemi dhënë programin stërvitor përgjatë këtyre dy muajve, të cilin ata e kanë zbatuar nga shtëpitë e tyre. Pra janë stërvitur këto kohë. Duhet gjetur një zgjidhje. Ndoshta të paguhen muajt duke nisur nga shkurti dhe të falet qershori apo korriku, ose të paguhen një pjesë e muajve dhe të merret gjysma e pagës për të tjerët.
Nuk e di, të diskutohet me Bashkinë dhe të gjendet një zgjidhje, pasi futbollistët kanë kontratat e tyre dhe këtë e kanë profesion, ushqejnë familjet e tyre. Nëse situata mbetet e tillë dhe një marrëveshje nuk arrihet mes klubit dhe lojtarëve atëherë unë jap dorëheqjen dhe ndërpres kontratën time. Është një gjendje vërtetë e keqe kjo, aq më tepër kur po afron edhe kampionati dhe kemi një kalendar të ngjeshur përpara. Gjithsesi do të ulemi e të flasim dhe të presim për 2-3 ditë që të marrim një vendim sa i përket kësaj çështjeje“, ka deklaruar Mirsa Jonuz./Halit Delibashi-Sport Ekspres/