Ndeshja e mbrëmjes së shkuar mes Vllaznisë dhe Tiranës nuk u shijua sa duhej nga tifozeria e dy ekipeve por edhe sportdashësit shqiptar. Një pjesë e parë e qetë nga të dyja skuadrat por me fillimin e të dytës gjithçka ndryshoi. Pretendimet nga ana e lojtarëve dhe stafit teknik i Vllaznisë shkaktuan trazira edhe në shkallët e stadiumit. Në rezultatin 0-2 në favor të Tiranës pati edhe nervozizëm mes lojtarëve si dhe tifozë të futur në fushë.
Fill pas qetësimit të situatës, klubi i Vllaznisë ka dalë në një deklaratë zyrtare gjatë ditës së sotme duke shpjeguar faktorët që ndikuan në shkaktimin e incidenteve të mbrëmshme. Në njoftim thuhet se gjithçka erdhi nga gjykimi jo korrekt i arbitrave, e sidomos nga kryesori Enea Jorgji i cili mohoi sipas klubit edhe dy penallti./Sport Ekspres/
DEKLARATA E PLOTË
Klubi i Futbollit Vllaznia falenderon tifozerinë e mrekullueshme shkodrane për mbështetjen në ndeshjen me Tiranën. Si gjithmonë, tifozeria ishte “lojtari i 12-të” për kuqeblutë.
Nga shkallët e “Loro Boriçit” por edhe nga filmimet e mediave, u pa qartë se Vllaznia u penalizua nga një gjykim aspak profesional, aspak i paanshëm i arbitrave të ndeshjes dhe sidomos kryesorit Enea Jorgji.
Një sjellje e tillë e arbitrave penalizoi Vllazninë me mohimin e dy penalltive, njëra nga të cilat u pranua dhe nga vetë trajneri i ekipit kundërshtar dhe të gjithë specialistët në studiot sportive.
Gjatë gjithë ndeshjes, sjellja arrogante e arbitrit ishte provokuese dhe në dëm të garës e rezultatit të saj, rezultat i cili nuk reflektoi atë që u tregua në fushën e blertë.
Kjo jo vetëm acaroi futbollistët në fushën e lojës, por krijoi reaksion edhe tek tifozeria në shkallët e stadiumit.
Në Shkodër është luajtur dhe luhet futboll gjithmonë. Në “Loro Boriçi” janë duartrokitur ekipe që edhe kanë shënuar ndaj Vllaznisë tonë. Shkodra ka dhe do të ketë gjithmonë tifozerinë më të mirë në të gjithë Shqipërinë sepse Shkodra dhe futbolli janë në një simbiozë mëse njëshekullore.
Arbitrimi i Enea Jorgjit dhe ndihmësve të tij, solli një rezultat aspak të merituar për Vllazninë, e cila sivjet ka objektiva të qarta. Sivjet, Vllaznia me skuadrën që ka ndërtuar, me stafin teknik të përzgjedhur, ka synim të luftojë fort dhe ndershmërisht për trofetë e sezonit dhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Si gjithmonë, nuk kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi në fushën e blertë e jashtë saj, gjykim të paanshëm dhe profesional në “Loro Boriçi” dhe në çdo stadium tjetër.