Grent Halili është sulmuesi i momentit në Superiore, ndërsa ka arritur të shënojë 2 gola në 3 ndeshjet e para të Superiores. Një tjetër realizim vendimtar ka ardhur nga ky futbollist kundër Vllaznisë, për t’i hapur rrugë një fitore të munguar prej 4 vitesh e gjysmë.
I ftuar në “Supersport”, sulmuesi Halili është shprehur se e vuan shumë etiketimin si “djali i presidentit”. Kështu, kritikat janë aq të shumta në drejtim të tij, aqsa vijnë edhe për një top të humbur.
“Së pari mund të themi se e prisnim këtë fillim të Tiranës. Të jemi realist po, por jo nuk shënuar dy gola në tre ndeshje. Teuta na ka vendosur në vështirësi. Këtë herë do të jetë një kampionat i vështirë dhe nuk duhet të nënvlerësojmë askënd. Duhet t’i qajmë ato dy pikë me Teutën.
Nuk dua të përmend emra se më kë ndihem më mirë, pasi gjithmonë duhet të përkrahim shokun e skuadrës. Me Ngon ndihem shumë mirë në sulm, por edhe Kale është harmonizuar shumë mirë me grupin.
Do të preferoja të luaja në të majtë të sulmit, si pozicionin tim të preferuar megjithëse mund të luaj në çdo rol për ekipin. Ndikon shumë dhe presioni që jam djali i Refik Halilit. Nuk dua që të qahem, por dikush tjetër nuk e përballonte këtë presion. Jam 21 vjeç dhe kritikohem edhe për një top të humbur. Duam që ta dërgojmë këtë klub sa më lartë, jo vetëm unë, por i gjithë stafi dhe të gjithë bashkë.
Më vjen mirë që i jepnit raste kundër Vllaznisë, por do të më vinte mirë që të jepnit edhe rastin tonë ndaj Durrësit. Kur kam gëzuar në Shkodër kam pasur edhe një bisedë të mëparshme me Dokën që më ka thënë saktësisht: “Mos të harrojmë atë që na ndodhi atëherë në Shkodër”. Vetëm kaq nevojitej, nuk duhej më shumë fjalë. Gjithsesi unë jam krenar që jam djali i presidentit. Do të flas me të dhe do të kërkoj një shtim rroge”, ka thënë me batutë Halili. /Sport Ekspres/