Vllaznia është përballur ndaj Tiranës, duke humbur me rezultatin 0-2. Ekipi bardheblu theu një tabu në Shkodër, pasi kishte pa fituar në këtë transfertë rreth 4 vite e gjysmë. Disa pretendime kishte nga ana e bardhebluve për penallti, megjithëse në rastin e Likës do të ishte futbollisti që do e pranonte se nuk ishte e tillë, pasi kontakti kishte nisur jashtë zone.
Në një intervistë për “Zona Gol”, administratori i Vllaznisë Suad Lici e hedh gjithë përgjegjësinë te arbitri Enea Jorgji. Sigurisht, shumë gabime për t’u rregulluar kishte edhe në këtë drejtim, por jemi vetëm në javën e tretë dhe në Shqipëri rinisin historitë e arsyetimit me skenare, duke thënë se arbitri mbështet një ekip të caktuar dhe dëmton tjetrin.
“Këto ndeshje vendosen nga episode, kështu ndodhi edhe sot. Kemi shumë lojtarë që kanë vetëm një javë stërvitje, u organizuam vonë. Nuk na pëlqeu mënyra e arbitrimit. Na mungoi një penallti, kjo solli edhe acarimin e tifozëve.
Vllaznia do të ketë një histori tjëtër në takimet pasardhëse. Jorgji është shumë i gatshëm t’i jap penallti Kukësit, vetëm për Vllazninë nuk sheh penallti. Në pësimin e golit pësuam një shok psikologjik, pasi kishim 180 minuta pa pësuar.
Unë jam i kënaqur dhe me këtë pushim 15 ditor do të konsolidohemi. Them se Vllaznia do të jetë në 3-4 ekipet më të mira në Shqipëri. Tifozët nuk duhen menduar si budallenj. Ne duartrokasim kur fiton kundërshtari. Por nuk është hera e parë që Jorgji e bën këtë gjë kundër nesh. Nuk jam dakort me hedhjen e shisheve, do të flasim dhe sensibilizojmë tifozët”, ka thënë Lici. /Sport Ekspres/