Tirana ka fituar në Shkodër ndaj Vllaznisë me rezultatin 0-2, në një ndeshje shumë të tensionuar. Ashtu si edhe pritej, duke parë historinë e kësaj klasike. Shumë shishe janë hedhur në fushë nga ana e tifozëve, që janë irrituar edhe me disa pretendime për penallti nga ana e lojtarëve të Jonuz.
Gilman Lika kishte një prej tyre në pjesën e dytë, por në intervistën për “Supersport” e ka tërhequr pretendimin e tij: “Shiko, kontakt kam pasur në atë rast, megjithëse nuk ishte për të thyer këmbën. Tani që e shoh edhe vetë, ka qenë edhe jashtë zonës. Kështu janë të gjithë derbit apo klasiket në Europë, gjithmonë të nxehta. Nuk ka lojtarë që janë të qetë.
Sigurisht që tifozët nuk bëjnë mirë që hodhën shishe në fushë, por e kuptoj edhe sjelljen e tyre, pasi kishin ardhur për të dalë me fitore. Dhuruan një pamje fantastike duke e mbushur stadium”, ka thënë Lika. /Sport Ekspres/