Shkëndija e Tetovës synonte grupet e Europa League dhe para ndeshjeve në Europë refuzoi të lëshonte disa prej lojtarëve kryesorë. Një prej tyre ishte mbrojtësi Visar Musliu, i cili pati një ofertë nga Mol Vidi, që ofroi 500 mijë euro referuar mediave në Maqedoninë e Veriut.
Tashmë tetovarët janë dorëzuar dhe kanë pranuar ta shesin një prej lojtarëve më të mirë të tyre. Musliu iu bashkua Shkëndijës në shkurt të vitit 2018, duke i bërë një “rreng” Vardarit. Mbrojtësi kishte një klauzolë që e linte të lirë për t’u transferuar jashtë vendit dhe firmosi te Prishtina. Bardhekaltrit më pas e huazuan te Shkëndija, ku regjistroi dy sezone mjaft të suksesshme.
NJOFTIMI – Shkëndija dhe MOL Fehervar FC kanë arritur marrëveshje për transferimin e mbrojtësit Visar Musliu në radhët e kampionëve të Hungarisë. 24-vjeçari do të firmosë kontratë me MOL Fehervar FC, ndërsa hungarezët në llogari të Shkëndijës do të paguajnë dëmshpërblim për blerjen e kartonit të futbollistit një vit para skadimit të kontratës së tij me kuqezinjtë (30.06.2020).
Visar Musliu largohet nga Shkëndija pas një viti e gjysmë, periudhë gjatë së cilës fitoi 3 trofe me kuqezinjtë, 2 kampionate dhe 1 Kupë. Ai zhvilloi 62 paraqitje zyrtare me fanellën e Shkëndijës (43 kampionale, 7 në Kupë dhe 12 në Europë), duke shënuar 9 gola (6 në kampionat dhe 3 në Kupë).
Pas firmosjes me kuqezinjtë në shkurt të vitit 2018, Musliu shpejt u promovua si shtyllë e mbrojtjes, duke dhënë kontribut të madh në sukseset e skuadrës, ndërsa do të mbahet mend edhe për dy golat e tij në finalen e Kupës së Maqedonisë (2018) kundër Pelisterit të fituar 3:0 nga Shkëndija.
Të gjithë në KF Shkëndija falënderojnë Visar Musliun për kontributin e dhënë në fanellën kuqezi, ndërsa i dëshirojmë gjithë të mirat dhe suksese në të ardhmen.