Barcelona nuk ka në plan të heqë dorë nga një prej mbrojtësve më të mirë në qarkullim. Nelson Semedo vlerësohet shumë nga klubi blaugran dhe drejtuesit nuk kanë në plan ta lënë të largohet. Megjithëse nuk ka arritur akoma të zërë një vend të sigurt në formacion, portugezi cilësohet shumë i rëndësishëm për ekipin.
Semedo është në duel të vazhdueshëm me Serxhi Roberton në krahun e djathtë të mbrojtjes. Ka shpejtësi mjaft të lartë dhe të ofron shumë garanci në mbrojtje. Mosaktivizimi i tij në dy ndeshjet ndaj Liverpulit ishte ndoshta gabimi më i madh që Valverde bëri në ato përballje.
“AS” raporton se Barça ka refuzuar disa oferta konkrete për yllin e tyre edhe pse ai ka shprehur dëshirën të largohet. Katalanasit janë të gatshëm ta lënë të lirë vetëm nëse paguhet klauzola e largimit prej 100 milionë eurosh. Atletiko dhe Mançester Siti janë në kërkim të një mbrojtësi të profilit të tij. Raportohet se propozimet e ardhura nuk i kanë arritur 50 milionë eurot.