Taulant Seferi nuk do të qëndrojë te kampionët e Zvicrës, Jang Bojs. Sulmuesi nga Kumanova është huazuar sërish, këtë herë në elitën e futbollit zviceran, te skuadra e Ksamaks. Vetë Seferi e ka njoftuar diçka të tillë përmes rrjeteve sociale.
“Shumë i lumtur që do të jem 1 vjet i huazuar tek skuadra e madhe siç është Xamax. Falënderimi i takon Zotit, familjes sime dhe menaxherit tim Shkumbin Qormemeti. Do të jap më të mirën time për t’i arritur objektivat e mija dhe të klubit”, shkruan sulmuesi 22-vjeçar.
Sezonin e shkuar Seferi u aktivizua me Vintertur në Challenge League dhe ia doli të shënonte 10 gola në kampionat. Me rëndësi është që sulmuesi luajti rregullisht, teksa u aktivizua në 32 ndeshje. 27 prej tyre ai i nisi nga minuta e parë.
KONTRATA – Seferi, i huazuar te Ksamaks, fillimisht ka nënshkruar kontratën e re me Jong Bojs. Sulmuesi ka firmosur deri në vitin 2022 dhe më pas është dërguar tek ekipi i ri. Në marrëveshjen mes dy klubeve, ka edhe një klauzolë që i lejon kampionët e Zvicrës ta kthejnë Seferin në muajin janar.