Rroca i përgjigjet Berishës me supergol, “paqe” në derbin e veriut

Kukësi dhe Laçi kanë barazuar 1-1 në miqësoren e dytë mes tyre. Ekipi i drejtuar nga Sulejman Starova ka bërë një 45 minutësh të mirë dhe për meritë të portierit Stivi Frashëri pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 0-1.

Elvi Berisha ishte autori i golit për kurbinasit, ndërkohë që “gardiani” korçar ndali disa herë lojtarët e bardhezinjve, madje në një rast “hipnotizoi” sulmuesin Nuabeze, i cili u shfaq i vetëm përballë tij. Fraksioni i parë i lojës nuk pati më gol.

Kurbinasit festojnë golin e realizuar nga Elvi Berisha

Kukësi, pas direktivave të dhëna nga trajneri Gjoka, ka reaguar në pjesën e dytë dhe shumë shpejt ka ardhur edhe goli i barazimit. Eduart Rroca, brenda zonës është rrotulluar bukur dhe e kë dërguar topin në trekëndësh.

Portieri Gentian Selmani është detyruar ta nxjerrë topin nga rrjeta dhe shifrat janë barazuar në 1-1. Në minutat në vazhdim nuk ka patur ndryshim rezultati dhe këtë herë skuadrat janë ndarë në paqe. Një javë më parë ishte Laçi që fitonte 0-2, me gola të Turkajt dhe Deliut.

Miqësore – E shtunë, më 29 qershor
Stadiumi “Gjorgji Kyçyku”, Pogradec

Kukësi-Laçi 1-1
Shënues: Rroca 55′ / Berisha 14’
Kukësi (4-4-1-1): Frashëri – Kitanovksi, Teqja, Cuculi, Rrumbullaku – Ethemi, Musolli, Limaj, Rama – Rroca – Shkurtaj. Trajner: Ernest Gjoka

Laçi (3-4-3): Selmani – Ignjatoviç, Gjoni, Domgjoni – Deliu, Lushkja, Jonuzi, Turkaj – Berisha, Xhixha, Nuabueze. Trajner: Sulejman Starova

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *