Laçi po vijon përgatitjet për ndeshjen e Europa League kundër Hapoel Ber Sheva. Kurbinasit kanë bërë disa afrime deri më tani, teksa kanë nënshkruar Kirian Nuabueze (Drita), Aleksandar Ignjatoviç (Sloboda Tuzla), Rudolf Turkaj (Iliria). Në vazhdim pritet të ketë edhe të tjera lëvizje.
Një ditë më parë bardhezinjtë zhvilluan një miqësore me Kukësin, që e fituan 2-0, ndërkohë që në stadiumin e Librazhdit u pa edhe mbrojtësi Irlan Ceka. Ish-lojtari i Shqipërisë U21 po stërvitej veçmas dhe së shpejti pritet të bashkohet me grupin.
Shanset që të luajë në Europë janë të vogla, pasi Ceka ka kaluar një dëmtim të rëndë. Në janar, kur iu bashkua kurbinasve, ai këputi ligamentin dhe iu desh të kryente një operim. Tanimë ai po punon për të rifituar formën dhe për të qenë një opsion për kurbinasit në sezonin e ardhshëm.