Teuta do të ndeshet me skuadrën e Ventspils në ndeshjet kualifikuese të raundit të parë në Europa League. Shorti nuk ishte aspak i favorshëm për ekipin durrsak, që përballë kanë një ekip shumë të sukseshëm. Ventspils nuk ka ndonjë histori të madhe dhe është një klub vetëm 22 vjeçar. I krijuar në vitin 1997, suksesi ka qenë i menjëhershëm për ekipin letonez, që ka fituar 6 herë kampionatin dhe 7 herë Kupën e Letonisë.
Ventspils është skuadra e parë letoneze që mori pjesë në grupet e Europa League, pasi në vitin 2009, mposhti BATE Borisov në ndeshjen e fundit kualifikuese. Skuadra letoneze mori pjesë në Grupin D, së bashku me Sporting Lisbonën, Herenvenin dhe Hertën e Berlinit.
Ventspils e ka fituar kampionatin në vitet 2006, 2007, 2008, 2011, 2013 dhe në vitin 2014, duke pasur një periudhë dominimi në futbollin letonez. Megjithatë, në vitet e fundit, Ventspils ka pasur një rënie dhe ka plot 5 sezone që nuk e fiton kampionatin.
Madje, në sezonin e shkuar, rivali i Teutës e mbylli kampionatin e rregullt në vend të pestë, me vetëm 20 pikë në 15 takime. Sipas Transfermakt, vlera e lojtarëve të Ventspils kap kuotën e 3.65 milionë eurove, gati 1 milionë euro më pak se Teuta, që vlerësohet 4.58 milionë.
Lojtari më cilësor i Ventspils është sulmuesi brazilian, Jo Santos, i cili vlerësohet 500 mijë euro në treg. Sezonin e shkuar, 28-vjeçari shënoi 3 gola në 12 ndeshje në kampionat, por golashënuesi më i mirë ishte talenti nigerian, Tosin Ajegun, me mesfushorin që shënoi 7 gola.
Diferencat mes Teutës dhe Ventspils janë shumë të vogla dhe “Djemtë e Detit” kanë mundësi reale për të kaluar raundin e parë në kualifikueset e Europa League.
VERONIK ISTREFAJ