Partizani tanimë e ka një trajner. Klubi i kuq i ka besuar italianit Franko Lerda, i cili ka mbërritur në kryeqytet dhe do të prezantohet ditën e sotme. SportEkspres.com, ashtu sikurse edhe mediat e tjera, është njoftuar mëngjesin e ditës së sotme për diçka të tillë dhe prej orës 10:30 Lerda do të dalë para mediave. Italiani pason Skënder Gegën, i cili riktheu titullin në kampin e kuq pas plot 26 vitesh.
E SHKUARA – Franko Lerda, 51vjeç, ka një CV të rëndësishme, si lojtar dhe si trajner. Kulmin e vet si trajner Lerda e ka pasur në sezonin 2010/11, kur drejtoi Torinon në Serinë B, pa ia dalë mbanë ta ngjiste në A, duke u pasuar nga Gian Piero Ventura.
Ndër klubet e tjerë të njohur Lerda ka drejtuar edhe Peskarën e Leçen, me këtë të fundit e mposhtur në finalen play-off për ngjitje në B nga Frozinone, ndeshje ku u përlesh me lojtarë e tifozë kundërshtarë, duke u dënuar 7 muaj.