Armando Sadiku e ka mbyllur me gol te Lugano, që ia doli të kualifikohej për në Europa League. Sulmuesi i kombëtares shqiptare arriti të shënonte tre gola, ndërkohë që u aktivizua në 16 ndeshje në kampionat. Gjysmën e tyre i nisi nga minuta e parë dhe në fakt për të nuk ka qenë e lehtë.
Dëmtimi i pësuar në verë te Levante e la për shtatë muaj jashtë fushave të blerta sulmuesin, që së fundmi ka shumë gjëra për të thënë për eksperiencën te Lugano. Përmes një postimi në Instagram ai thekson se ka bërë maksimumin për skuadrën zvicerane.
“Ja pra mbërritëm në fund të një tjetër kampionati. Erdha te Lugano në një moment të vështirë ku objektivi i skuadrës ishte mbijetesa, por ia dolëm ashtu si dy vjet më parë që të kualifikoheshim në grupet e Europa League.
Jam i lumtur që kam kontribuar në këtë sukses të madh, duke shënuar tre gola të rëndësishëm. E vërtetë, nuk e kisha të lehtë të rikthehesha pas dëmtimit të rëndë dhe të luaja çdo ndeshje nga 90 minuta. Do kisha dashur të bëja edhe më mirë, por jam i sigurt se kam dhënë maksimumin për këtë fanellë në çdo minutë që kam luajtur.
Futbollistët e mëdhenj dallohen në momente të tilla. Falënderoj klubin, stafin teknik, shokët e skuadrës dhe të gjithë popullin bardhezi për faktin që shijova përsëri këtë moment plot entuziazëm dhe lavdi”, shkruan Sadiku.